Për të gjitha nënat, fillimisht: Cfarë janë terroret e natës dhe si qetësohet fëmija? Si ndikon rutina në shmangie dhe qetësim?

Terroret e natës janë episode të bërtiturash intensive, qarjesh, apo frike që fëmija përjeton gjatë procesit të gjumit. Zakonisht përjetohen nga muaji 3 deri në muajin 12 të jetës dhe pikun e kemi në muajin 3 ½ .

Cfarë ndodh gjatë terroreve të natës?

Do të shohim një fëmijë që:

  • Djersitet;
  • I zmadhohen bebet e syve;
  • Ka frymëmarrje të shpejtë;
  • Rrahje të shpeshta zemre.

I cili gjatë terroreve mund edhe të:

  • Cohet dhe të qëndrojë ulur në shtrat;
  • Mund të bërtasë;
  • Përpiqet në shtrat;
  • Duket zgjuar por tepër konfuz;
  • Duket sikur nuk do t’ja dijë edhe nëse prindërit janë të pranishëm;
  • Nuk flet;
  • Nuk i përgjigjet përpjekjeve të prindërve për qetësim.

Sa zgjat?

Mund të nevojiten disa minuta dhe madje në disa raste edhe deri 30 minuta që fëmija të qetësohet dhe kthehet normalisht në gjumë.

Cfarë i shkakton terroret e natës tek vogëlushët?

Terroret mund të vijnë si pasojë e një stresi që fëmija përjeton, këtu do të përfshijmë edhe ankthin e ndarjes nga prindërit që fillon të zhvillohet në këtë moshë. Një tjetër ndikim do të ishte edhe lodhja që fëmija ka arritur gjatë ditës.

Mund të ndodhë edhe si pasojë e temperaturës, ndryshimit të vendit të gjumit, një medikamenti që është duke marrë.

Dhe madje, a e dini që shkaktohet edhe si pasojë e mos plotësimit të orëve të gjumit gjatë ditës?

Si duhet të veprojnë nënat për të parandaluar apo trajtuar në njëfarë mënyre terroret e natës?

  • Duhet të largohen nga dhoma pajisjet elektronike dhe zhurmat. Gjatë ditës dhe sidomos para gjumit fëmijës nuk duhet t’i aprovohet qëndrimi në telefon apo televizor.
  • Niveli i stresit tek fëmija duhet të mbahet nën kontroll. Si? Duke patur më tepër kontakt fizik me ju, duke i lexuar apo folur me një ton të qetë, duke e nxjerrë shëtitje.
  • Vlen shumë një rutinë e qetë dhe relaksuese. C’do fëmijë, pavarësisht moshës ka nevojë për një rutinë të tillë.
  • Sigurohuni që fëmija të flejë mjaftueshëm gjatë ditës në mënyrë që të mos arrijë në mbrëmje i lodhur.
  • Ndiqni me përpikmëri oraret e gjumit si edhe të zgjimit të fëmijës, c’do ditë. Pavarësisht impenjimeve!

Kur ndodhin terroret e natës?

Zakonisht 90 minuta pasi fëmija ka rënë në gjumë, pra në fazën e hershme të gjumit. Gjatë fazës REM, fazë aktive e gjumit.

A duhet ta zgjojmë fëmijën gjatë terroreve të natës?

Jo, këshillohet së tepërmi që të ndërhyni për ta siguruar se jeni atje duke i folur por jo duke e marrë në krahë dhe duke e zgjuar. Një veprim i tillë do të bënte që fëmija të merrtë një kënaqësi si përgjigje prej jush, e cila do të ndikonte në fitimin e një vesi të ri. Pra nëse do të përgjigjeni në këtë mënyrë me siguri do të keni një fëmijë që do të zgjohet, do të dalë nga procesi i gjumit sa herë që përjeton një terror nate.

A ka arsye të tjera që fëmija mund të qajë gjatë natës?

Po! Mund të ndodhë edhe si pasojë e urisë, një tretje jot ë mirë të ushqimit, ndoshta ka ftohtë apo shqetësime të tjera. Por primare në të tillë raste mbeten alternativat e para.

Rëndësia e rutinës!

Ju ndoshta tashmë e dini! Të qetësosh një fëmijë para gjumit teksa qan dhe ta bësh që mos të krijojë varësi ndaj prezencës tuaj është disi e vështirë. Prandaj është shumë e rëndësishme të parandalohen zgjimet gjatë terroreve të natës. Dhe për ta bërë këtë asgjë s’do t’ju vijë më tepër në ndihmë se rutina e mbrëmjes.

Si duhet të jetë rutina?

Sa më e qetë dhe relaksuese në mënyrë që të evitohen sa më tepër të jetë e mundur terroret e natës. Që rutina të jetë e qëndrueshme dhe efektive duhet që c’do natë fëmija të vendoset në gjumë në të njëjtën orë dhe në të njëjtën mënyrë. Ky do të jetë një moment që mund të përfitoni për të kaluar bashkë mjaft këndshëm.

Cfarë duhet të përfshijë?

Leximin e një historie, një masazh në mënyrë që të favorizohet edhe tretja më e mirë, një ninullë. Fëmijës duhet t’i thoni gjithnjë të njëjtën frazë para se ta vendosni në shtrat të flejë.

Këshillat e mia për një gjumë të qetë të fëmijës, krahas rutinës si edhe orareve të përshtatshme:

  • Përpiquni të mbani temperaturën e dhomës midis 18-22 gradëve.
  • Ajrosni mirë dhomën para se fëmija të flejë. Nevojitet ajër i pastër brenda saj.
  • Përdorni dyshek të fortë enkas për bebe;
  • Shmangni veshjet që e bëjnë të djersitet.
  • Mos e zgjoni fëmijën me britmën e parë. Është shumë e mundur që vogëlushi të qajë ndërsa ende është në gjumë.
  • Nëse tashmë është zgjuar mos e nxirrni nga shtrati. Zgjimi gjatë natës nuk duhet të perceptohet si dicka pozitive dhe e këndëshme nga ana e fëmijës.

Artemisa Brahimaj

Themeluese e Bota e Gruas

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *