Refuzimi i gjirit nga fëmija, guidë për të gjithë nënat e reja

Refuzimi i gjirit është një situatë stresuese për të gjitha nënat, prandaj në këtë artikull jam përpjekur të përmbledh një sërë këshillash që mendoj se do t’ju vijnë vërtet në ndihmë.

Refuzimi i gjirit ndodh në c’do moshë!

Fëmija mund të refuzojë të pijë në c’do moshë apo vakt duke marrë parasysh se arsyeja që e bën këtë mund të jetë e ndryshme. Ndikohet normalisht nga faza e zhvillimit të fëmijës por edhe nga gjendja shëndetësore.

Mund të ndodhë që fëmija të thithë për pak minuta dhe më pas të lëshojë gjirin për të mos e kapur më, e madje mund të refuzojë të pijë pavarësisht se mund të jetë i uritur.

Ushqyerja e fëmijës nazeli!

Një tjetër problem që mund të haset gjatë ushqyerjes me gji është edhe menaxhimi i fëmijës nazeli. Që do të thotë, kemi në gji një fëmijë i cili përkatësisht nuk refuzon gjirin por që pi me shumë vështirtësi. Ky tip fëmije shpesh ëhstë jo i gatshëm të fillojë të thithë dhe mund t’i duhet pak kohë të kapë gjirin por pasi fillon ushqehet mirë. Fëmijët nazelinj zakonisht nuk arrijnë një gjendje maksimale kënaqësie ndërsa ushqehen me qumësht gjiri. Ai thith lëshon, pra vazhdon të pijë me ndalesa të shumta.

Ndërsa përpiqeni të ushqeni me gji një fëmijë nazeli këshilla ime do të ishte të tregoheshit të qeta dhe të duruara. Pa filluar të përjetoni stres dhe parehati në veten tuaj. Sa më e qetë të jeni juve gjatë ushqyerjes aq më të lehtë do të keni të menaxhoni situatën e krijuar.

Gjatë ushqyerjes mund të përdorni në sfond edhe muzikë të qetë si edhe të përkëdhelni beben tuaj. Pra momenti duhet të përjetohet me shume qetësi, gjendje që është shumë e rëndësishme jo vetëm për ta bërë fëmijën të pijë më mirë, por edhe për të bërë që fluksi i daljes së qumështit të jetë optimal.

Mendoni të kundërtën: nëse keni një bebe që qan dhe refuzon gjirin dhe një nënë të stresuar, gati gati në panik, sa me lehtësi menaxhohet situata?

Disa gjëra që duhet patjetër të merrni në konsideratë!

  • Sa vakte po refuzon fëmija gjatë 24 orëve?

Numri i vakteve është mesatarisht 8-12 brenda 24 orëve. Dhe duhet të analizoni sa vakte refuzon fëmija. Sepse ka një ndryshim të madh midis një fëmije 4 muajsh që refuzon 1-2 vakte nga 8, dhe një fëmije që refuzon 4-5 vakte nga 8.

  • Sa pelena lagen gjatë 24 orëve?

Numri i pelenave që lagen ka rëndësi të madhe pasi është tregues i sasisë së ushqimit që fëmija merr gjatë 24 orëve. Duhet të jenë 6-8 të tilla minimalisht. Por vlen edhe 5 pelena të mbushura plot dhe me urinë pa ngjyë dhe pa aromë.

Nëse urina është me aromë të fortë dhe ngjyrë të errët flisni me mjekun. Gjithashtu, ngjyra e lëkurës, pesha dhe zhvillimi i mirë i muskujve janë tjetër shenjë që fëmija ushqehet si duhet.

Disa nga arsyet përse fëmija po refuzon të pijë:

  • Ka probleme me kapjen;
  • Është krijuar konfuzion edhe si pasojë e ushqyerjes me biberon;
  • Fëmija është shumë i lodhur ose shumë i stimuluar;
  • Fëmija në të vërtetë mund të refuzojë vetëm njërin gji;
  • Sapo ka kryer vaksinën;
  • Ka një problem të caktuar shëndetësor si dhimbje veshi apo dhimbje të fytit;
  • Skema e ushqyerjes është duke ndryshuar;
  • Hutohet nga dicka që ka në dhomë ndërsa ushqeni me gji;
  • Jeni duke e ushqyer me ushqime të tjera;
  • Është duke dalë një dhëmb;
  • Përdor më tepër se c’duhet biberonin fallco;
  • Klima ka ndryshuar;
  • Ka probleme që lidhen me thithjen e gjirit.

Kur qumështi është shkaktar i refuzimit:

  • Fluksi është i shpejtë;
  • Fluksi është i ngadaltë;
  • Gjoksi ka pak qumësht.

Arsyet që lidhen me nënën:

  • Nëna është shumë e lodhur ose e stresuar;
  • Është e sëmurë ose është duke marrë medikamente të caktuara;
  • Është futur në dietë një ushqim që zakonisht nuk konsumohet;
  • Aroma e nënës ka ndryshuar. Për shembull është ndryshuar parfumi, deodoranti, ka pirë duhan, ka shkuar tek parukierja, ka notuar në pishinë/det;
  • Nëna po kalon një ndryshim hormonal;
  • Nëna ndodhet para ose gjatë ciklit;
  • Është duke ndodhur ovulimi;
  • Nëna mund të jetë sërish shtatzanë;
  • Është duke marrë kontraceptivë oralë.

Cilat janë gjërat që duhet të bëhen për ta vendosur beben të pijë si duhet në këtë rast?

  • Qëndroni sa më e qetë që të mundeni. Ju normalisht mund të ndieni frustrim por detyrimi për ta bërë beben të pijë do ta largojë edhe më tepër nga gjiri. Në këtë moment mund të beni dicka për ta qetësuar. Mund t’i këndoni dhe ta mbani pranë vetes për ta qetësuar, mund ta nxirrni jashtë një shëtitje të vogël derisa të kuptoni se nuk është më i irrituar dhe provoni sërish.
  • Ushqeheni ndërsa ecni duke e mbajtur në pozicion disi vertikal puthitur pas trupit tuaj ndërsa koka arrin në lartësinë e thithit.
  • Provoni pozicione të reja ushqyerje. Sidomos në stinën e verës qëndrimi shtrirë anash është shumë i përshtatshëm.
  • Provoni të ushqeni fëmijën menjëherë pas banjos kur është i relaksuar (gjithnjë nëse e pëlqen momentin e larjes).
  • Provoni të luani ndërsa qëndroni shtrirë dhe më pas shumë ngadalë i ofroni gjirin.
  • Ja jepni gjirin ndërsa është ende përgjumësh.
  • Provoni ta qetësoni me një biberon fallco. Ecni, i këndoni ngadalë dhe ndërsa thith biberonin largojani me shumë kujdes. Në të njëjtën kohë fusni brenda gojës thithin.
  • Nëse fëmija është mësuar të pijë me biberon provoni të përdorni koka silikoni ose fërkoni me kub akulli të vendosur në garzë gjirin.
  • Ushqeni në një karrige lëkundëse.
  • Shtrydhni pak qumësht brenda gojës së hapur për të inkurajuar thithjen.
  • Provoni të masazhoni rreth 5 minuta para trupin e bebes.

Konkulzion: shumica e bebeve refuzojnë përkohësisht gjirin dhe në më të shumtën e rasteve rikthehen për t’u ushqyer pa problem shumë të lumtur.

Ndoshta nuk do të zbuloni asnjëherë arsyen përse në atë moment fëmija nuk ka pasur dëshirë të pijë.

Artemisa Brahimaj

Themeluese e Bota e Gruas

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *