Plani im i detajuar prej 10 hapash për të mësuar beben të pijë gji pa koka silikoni

Kokat e silikonit mund të jenë një ndihmë në momentin kur nëna e re nuk ka thitha por problemi qëndron se në disa raste fëmija nuk dëshiron të pijë pa to. Dhe normalisht në lidhje me këtë ka zgjidhje, pra fëmija mund të arrijë të pijë gji edhe pa to. Ajo që duhet të theksoj para prezantimit të planit prej 10 pikash është se duhet të tregoni durim pasi duhet pak kohë të arrini ta bëni këtë. Gjithashtu, do të ketë momente kur gjatë procesit të shkëputjes do të vini re se do të jeni dy hapa para një hap pas, as në këtë rast nuk duhet të dekurajoheni dhe të ndërprisni trajnimin e fëmijës.

Në rastet më të mira, shkëputja do të ndodhë brenda 2 javëve, por nuk përjashtohet mundësia që kjo të dojë edhe 1 muaj. Durimi dhe vetëm durimi është miku juaj më i mirë.

Kujdesuni që fëmija të ketë bërë një kapje të mirë të gjirit. E ritheksoj, se nga pozicionimi i keq i bebes në gji do të shkaktohen carje të thithave si edhe stimulim jo i mirë i gjendrave të qumështit.

Kjo eshte nje kapje e keqe e gjirit
Evitojeni

Fillojmë me prezantimin e planit prej 10 hapash konkrete:

  • Gjithcka nis me shtimin e kontaktit lëkurë me lëkurë. Edhe nëse fëmija nuk është duke pirë gjirin ju duhet të qëndroni momente të caktuara me fëmijën në lëkurën tuaj. Kjo do të shërbejë për të rindezur trurin e fëmijës dhe do të jetë një hap para në pranimin e ushqyerjes pa kokë silikoni. Kontakti lëkurë me lëkurë luan një rol shumë të rëndësishëm në stabilizimin e gjidhënies.
  • Kontrolloni për shenjat e hershme të urisë edhe ndërsa bebi fle (lëvizje e shpejtë e syve, fillon të lëvizë, etj) dhe provoni ta ushqeni ndërsa nuk është zgjuar mjaftueshëm ende. Pra mund të praktikoni ushqyerjen pa kokë silikoni ndërsa praktikisht është ende në gjumë.
  • Ushqeni fëmijën c’do dy orë ose më shpesh në mënyrë që të mos arrijë ta marrë shumë uria. Duhet të kuptoni që një fëmijë i uritur do të bëhet i paduruar dhe për pasojë do të refuzojë automatikisht të ushqehet pa kokë silikoni.
  • Mos e frustroni fëmijën duke e detyruar me forcë të pijë tek gjiri pa kokë silikoni. Nëse refuzon ndaloni dhe provoni në një moment tjetër. Ju nuk duhet të pretendoni që një fëmijë tashmë i irrituar të pranojë të mësojë një aftësi të re.
  • Provoni të shtrydhni me dorë disa pika qumësht tek thithi para se të vendosni fëmijën të pijë.
  • I flisni me zë të ëmbël dhe të qetë fëmijës. Ai është mësuar me zërin tuaj që në jetën intra-uterine dhe për pasojë do të jetë zëri juaj që do ta qetësojë në situata të ndryshme. Edhe nëse ushqyerja nuk është duke ecur në mënyrën e duhur ju duhet të vazhdoni të flisni përzemërsisht me beben tuaj.
  • Përdorni dorën tuaj për ta futur si duhet gjirin brenda gojës së fëmijës. Duke përdorur gishtin e madh tërhiqni lehtë lëkurën sipër areolës në mënyrë që thithi të dalë dhe pozicionoheni sipër gojës së fëmijës, pikërisht poshtë hundës. Në momentin që fëmija e ka hapur gojën do të jetë gati për ta thithur.
  • Nëse thithat janë të futur brenda ose shumë të butë provoni të përdorni një pompë thithash para ushqyerjes së fëmijës. Mund edhe të aplikoni akull rreth thithave në mënyrë që të dalin jashtë.
  • Nëse në një moment gjinjtë janë të fryrë duhet që para se të vendosni fëmijën të pijë të shtrydhni për të liruar dhe zbutur zonën rreth areolës. Në të kundërt fëmija do të ketë vështirësi të pijë.
  • Nëse fëmija refuzon të pijë pa kokë silikoni, provoni t’i jepni të pijë 3-4 minuta me të dhe më pas kur bebi fillon të mbyllë disi sytë largoni kokën dhe fusni gjirin brenda gojës pa të. Kjo duhet të ndodhë shumë shpejt. Dhe sa më shpejt të ndodhë aq më efektive do të jetë.

Përsëris!

Nëse fëmija mërzitet, ndalo! Përdor kokën e silikonit. Provo sërish vaktin tjetër, dhe nëse ndihesh e frustruar provo sërish nesër!

Facebook Comments

Artemisa Brahimaj

Themeluese e Bota e Gruas

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *