Si të kuptojmë kur një bebe është e uritur apo e ngopur me ushqim?

Si nënë e re duhet të kesh parasysh nga unë një këshillë që do të vlejë vërtet shumë. Duhet të përpiqesh patjetër të kuptosh shenjat e hershme të urisë që fëmija jep.

Përse?

Sepse nëse fëmija ka dhënë shenjat e para të urisë nuk ka arritur ende në fazën e irritimit dhe për pasojë do të jetë i prirur të pranojë gjirin më mirë. E njëjta gjë edhe për bebet që ushqehen me formluë. Pra nuk duhet të arrijmë në momentin e ushqyerjes me një fëmijë në nivelet maksimale të urisë dhe irritimit.

Prandaj, shenjat e hershme të urisë do të jenë:

  • Fillojnë lëvizjet e para të gojës;
  • Koka fillon të kthehet në kërkim të gjoksit apo biberonit;
  • Fëmija fillon të jetë më tepër aktiv, nuk është më në gjendje të thellë qetësie apo gjumi;
  • Fillojnë thithjet e gishtave apo të dorës. Fillojnë përplasjet e buzëve;
  • Goja fillon të hapet edhe mbyllet.

Shumë nëna mendojnë se e qara është shenjë që fëmija jep për të treguar se ka uri. Por jo! Kjo është e gabuar. Në të vërtetë e qara është shenjë stresi tek fëmija që ka arritur gjendjen e urisë. Në këtë rast ata shfaqin shenjat e hershme para se të qajnë dhe nëse ju do të përgjigjeni që në momentet e para të jeni të sigurta se procesi i ushqyerjes do të jetë më i lehtë. Pra duhet të parandaloni kalimin në fazën e të qarës pasi do ta keni të vështirë të kapë thithin. Sidomos nëse gjidhënia ende nuk është stabilizuar si duhet.

Po shenjat e ngopjes cilat janë?

Ashtu sic është e rëndësishme të njihni shenjat e urisë edhe të ngopjes janë po aq të rëndësishme. Cilat janë?

  • Fëmija e lëshon gjirin, nuk e mban më në gojë me po të njëjtën forcë;
  • Fillon të kthejë kokën nga ana tjetër e thithit;
  • Trupi i fëmijës relaksohet dhe pëllëmbët e duarve do të hapen.

Nëse fëmija juaj pasi ka pirë njërin gji duket i ngopur duhet ta bëni të gromësijë dhe më pas ta ndërroni nëse lind nevoja, pastaj provoni ta vendosni në anën tjetër. Nëse e shikoni se nuk ka më interes dhe është ngopur nuk duhet ta vendosni me forcë në gjirin tjetër.

Disa fëmijë kanë nevojë të pijnë të dy gjinjtë ndërsa të tjerë jo.

Artemisa Brahimaj

Themeluese e Bota e Gruas

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *