Përse fëmijët djersiten në gjumë?

Djersitja e fëmijës në gjumë jo gjithmonë është arsye për t’u shqetësuar. Ju duhet të flisni me mjekun e fëmijës nëse vini re që djersitja shoqërohet edhe me simptoma të tjera.

Ndërkaq, përse fëmijët djersiten shpesh ndersa flejnë?

  • Nga të qarat. Fëmija në këtë rast lodhet dhe djersitet. Në momentin që do të pushojë djersitja do të normalizohet.
  • Pozicioni në të cilin fle. Fëmijët e vegjël mund të mos jenë në gjendje të rrotullohen vetë dhe për pasojë qëndrimi në një pozicion për një kohë të gjatë do të bëjë që të djersitet shumë.
  • Temperatura e dhomës ndoshta është tepër e lartë. Kjo shkakton parehati dhe për pasojë edhe djersitje. Kjo e fundit konsiderohet një mekanizën natyral mbrojtje që organizmi përdor kundër rritjes së madhe të temperaturës në trupin e fëmijës. Nëse fëmija djersitet dhe skuqet në lëkurë me siguri ka vapë.
  • Ndoshta e keni veshur trashë e madje edhe e keni mbuluar trashë. Kjo do të bëjë që temperatura të rritet dhe për pasojë të stimulohet djersitja e tepërt. Mos harroni se veshja e papërshtatshme gjatë gjumit rrezikon SIDS prandaj duhet patjetër të mos e teproni.
  • Gjumi i thellë. Fëmijët shpesh djersiten së tepërmi në fazën e gjumit të thellë. Nuk është arsye për shqetësim.
  • Varet ku ndodhen gjendrat e djersës. Fëmijët ndryshe nga të rriturit shumicën e gjendrave të djersës e kanë në kokë. Ato zhvillohen fillimisht në zonën e skalpit si edhe ballit. Gjendat e djersës në pozicione të tjera do të zhvillohen më vonë.
  • Fëmija mund të ketë temperaturë. Dhe kjo shoqërohet me djersitje. Zakonisht këto simptoma shfaqen nëse temperatura vjen si pasojë e një infeksioni apo ftohje.
  • Nëse vogëlushi është duke marrë një mjekim të caktuar për uljen e temperaturës është normale djersitja.
  • Fëmija mund të vuajë nga apnea e gjumit. Kjo shoqërohet nga gërrhitja, vështirësia në frymëmarrje apo frymëmarrja me anë të gojës. Djersitja është përgjithësisht një simptomë që shoqëron apnean.

Këshilla për mbajtjen e situatës nën kontroll

  • Kontrolloni temperaturën e dhomës. Nuk duhet të jetë më tepër se 20-22 gradë.
  • Visheni fëmijën gjithmonë në mënyrë të përshtatshme sipas stinës. Zgjidhni gjithnjë veshje pambuku të lehta dhe të rehatshme.
  • Kontrolloni të qarën e fëmijës. Përpiquni të kuptoni nga se shkaktohet. Nga uria? Ushqeheni në kohë? Nga një pelenë e pisët? Ndërrojeni. Ndoshta ka nevojë të ngushëllohet pasi ka parë ëndërr të keqe?
  • Hidratojeni në mënyrë që të rikuperojë lëngjet e humbura përmes djersitjes.

Artemisa Brahimaj

Themeluese e Bota e Gruas

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *