Fëmija dëshiron të qëndrojë gjatë në gji? Nënat patjetër duhet të dinë arsyet!

Në momentin që fëmija dëshiron të pijë vazhdimisht gji nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Jemi duke ju referuar gjithmonë fëmijëve të porsalindur dhe këto ushqyerje afër njëra tjetrës në kohë ndodhin kryesisht gjatë pasditeve.

Në disa raste, por jo gjithmonë kjo lloj ushqyerje shoqërohet nga një gjumë i gjatë. Konkretisht, mund të ndodhë që nëse kemi një fëmijë i cili dëshiron të pijë gji çdo një orë apo edhe më shpesh, gjatë natës të zgjohet rrallë ose aspak për të pirë.

Ushqyerjet e shpeshta me gji dhe momentet e irritimit të fëmijës

Zakonisht ndërthuren me njëra-tjetrën. Dmth nëse kemi një fëmijë që dëshiron të thithë shumë shpesh, e tërheq gjirin, e lëshon, qan, pi pak minuta dhe kështu vazhdon me orë të tëra mund të kemi të bëjmë me një bebe të frustruar.

Në këtë moment nëna mendon (dhe është shumë normale ta bëjë këtë) se qumështi i gjirit nuk mjafton! Mendimet mund të lidhen edhe me ndikimin e një ushqimi të caktuar tek qumështi që ndoshta ka krijuar bezdi tek fëmija, apo nëse është duke bërë diçka që krijon këtë gjendje tek fëmija.

Dhe kjo krijon shumë probleme tek vetëbesimi si nënë!

Mbani mend: Kjo sjellje është totalisht normale!

Nuk ka asnjë lidhje me qumështin e gjirit apo me mënyrën tuaj të prindërimit. Nëse fëmija juaj gjatë ditës është i qetë dhe nuk duket se ka dhimbje gjatë kësaj faze në të cilën fëmija është i irrituar, ju duhet të përpiqeni të qetësoni fëmijën dhe jo të mendoni përse po ndodh.

Ndërkaq, e lini fëmijën të pijë gji sa të dëshirojë dhe dikush mund t’ju ndihmojë në përditshmëri derisa kjo situatë të stabilizohet.

Ok, por a duhet të shtoj formulën?

Jo! Mos i jepni qumësht formule as në këtë rast pasi gjithsesi nuk do t’ju ndihmojë! Mbani gjithmonë në mendje se edhe fëmijët që ushqehen me qumësht formule kanë momentet e frustrimit gjatë pasdites. Të gjithë bebat e përjetojnë pavarësisht mënyrës së ushqyerjes!

Normalisht në këtë pikë ndoshta pyesni veten: Përse fëmija im është i irrituar gjatë pasdites?

Kjo mund të ndodhë pasi  në njëfarë mënyrë fluksi me të cilin qumështi i gjirit del gjatë pasdites ulet dhe kjo shkakton frustrim tek fëmija. Por mos mendoni se i vogli nuk po ushqehet mjaftueshëm, kjo pasi edhe pse fluksi reduktohet përqëndrimi i yndyrës në qumësht do të jetë më i lartë gjatë pasdites.

Nga ana tjetër, sipas mjekëve momentet e irritimit që disa fëmijë kalojnë karakterizohen nga dëshira për të thithur pak qumësht në intervale kohore të shpeshta. Nisur nga fakti se ata në këto momente irritimi kanë nevojë edhe për të qëndruar në krahët e nënës, për t’u përkëdhelur.

Si të qetësojmë në këtë rast fëmijën?

  • Vendosni fëmijën në xhep kanguri (marsup). Kështu do ta keni gjithmonë pas vetes dhe të keni duart e lira për të kryer punë të tjera.
  • Babi mund të qëndrojë pak me fëmijën që ju të pushoni dhe mos ndieni frustrim.
  • Dilni shëtitje ose thjesht në oborr apo ballkon.
  • Vendosni zhurmat e bardha.
  • Qetësoni fëmijën me lëvizje ritmike si ecje, përkundje apo lëvizje më makinë.
  • E qetësoni duke e prekur.
  • Reduktoni stimulimin. Për shembull dritat e forta apo zhurmat. E mbështillni me një mbështjellëse teksa e mbani në krahë.
  • Provoni pozicione të ndryshme të ushqyerjes.
  • Ushqeni në ecje.

Artemisa Brahimaj

Themeluese e Bota e Gruas

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *