Për të gjithë prindërit, cilat janë 5 gjërat thelbësore për rritjen e fëmijës?

Stimulimi i kreativitetit të fëmijës përmes shqisave, inkurajimi me anë të fjalëve pozitive, përfshirja në familje janë disa nga praktikat që këshillohen të ndiqen prej prindërve sipas metodës Montessori.

Një analizë e detajuar e plot 5 gjëravë kryesore që rekomandohen të përfshihen në rritjen e fëmijës

Stimuloni 5 shqisat e fëmijës!

Këtë mund ta bëni duke e përfshirë në lojëra të ndryshme kreative. Përfshini në lojë lodra pellushi apo libra të vegjël prej cope për të zhvilluar shqisën e prekjes, e bëni të dëgjojë tinguj të ndryshëm muzike, i prezantoni çdo ditë ushqime të reja në dietë, e mësoni të nuhasë aromën e luleve etj. Kështu fëmija do të mësojë të jetë kreativ, do të zhvillohet kurioziteti, do të mësojë të jetë i hapur si edhe do të marrë zhvillim në aspektin kognitiv.

E përfshini fëmijën në aktivitetet e familjes

Nëse do të përfshihet në momente të ndryshme sociale fëmija do të marrë një zhvillim më të mirë psiko-kognitiv. Një prej tyre është momenti i vakteve të ushqyerjes gjatë ditës. Ulja e përbashkët në tavolinë shënon një hap shumë të rëndësishëm në lidhje me zhvillimin psikologjik si edhe fizik të fëmijës. Nuk do të jetë më i vogli i familjes që ka nevojë për kujdes të veçantë por një pjesëtar i saj që është i përfshirë në çdo moment.

E inkurajoni duke e komplimentuar me anën e fjalëve pozitive për ta ndihmuar të krijojë vetëbesim

Nuk është asnjëherë shumë herët për të nxjerrë në pah arritjet e fëmijës apo gjestet që ai arrin të bëjë. Qoftë edhe ato më të voglat. Dhe janë pikërisht shprehjet pozitive që ju do të shprehni në drejtim të arritjeve që ai bën të cilat do të ndikojnë në rritjen e sigurisë që do të ndiejë brenda vetes.

Dhe nëse në një moment fëmija ndien zhgënjim duhet të inkurajohet me fjalët “provoj përsëri dhe jam shumë e sigurt se do t’ja dalësh.”

Përkrahni që në fazat e para të ushqyerjes me të ngurta metodën e shëndetshme

Që do të thotë, në tavolinë do të vendosen vetëm alternativat e duhura dhe shëmbulli i dhënë prej jush do të jetë udhërëfyesi i zakoneve që do të marrë fëmija. Njëkohësisht, i ofroni ushqime të ndryshme në vakt, në sasi të vogla në mënyrë që të mësohet me shijet.

Kur të arrijë moshën e duhur i jepni liri veprimi në marrjen e vendimeve!

Për ta bërë këtë mund ta lejoni të zgjedhë mes alternativave të veshjeve që ju i keni propozuar. E lini të zgjedhë mes dy frutave, të zgjedhë se ku do të ulet në tavolinë, e lini të provojë të lahet vetë.

Në këtë mënyrë fëmija do të mësojë më mirë të koordinojë lëvizjet e veta, do të gjejë zgjidhje para një vështirësie dhe nuk ka lumturi më të madhe për ne prindërit ta shohim teksa arrin t’i bëjë!

Artemisa Brahimaj

Themeluese e Bota e Gruas

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *