Fëmija im duket shumë i irrituar. A ka diçka që nuk shkon? A është normale që të ndodhë?

Pavarësisht mënyrës si fëmija ushqehet, është shumë normale që gjatë muajve të parë të jetës bebet e vogla të kenë momente gjatë të cilave të ndihen të frustuar. Diçka e tillë përgjithësisht ndodh rreth pasdites duke filluar nga java e 2/3 e jetës deri në muajin 3-4. Gjatë ditës fëmija mund të jetë në këtë gjendje përafërsisht 2-4 orë.

Të dallojmë kur irritimi është dicka normale dhe nuk sinjalizon probleme!

Që të konsiderohet normale kjo gjë duhet të ndodhë mesatarisht në të njëjtën kohë të ditës dhe kryesisht gjatë kohës që qëndron më tepër zgjuar. Pra gjatë pasdites, pikërisht para gjumit të mbrëmjes.

Çfarë e shkakton këtë irritim të fëmijës?

Nëse ndieni se diçka nuk shkon duhet patjetër të flisni me mjekun. Por faktorët që e shkaktojnë mund të jenë dhimbjet e barkut, një balancë jo e mirë e qumështit të gjirit dhe fluks jo i mirë i daljes së tij, një skuqje në zonën e bebelinës, myku oral, stimulimi dhe lodhja e tepërt, parehatia e përgjithshme si edhe nevoja për të qëndruar pranë nënës.

Masat që duhet të merrni për të qetësuar fëmijë në këtë rast!

Nevojat bazike!

  • E ushqeni;
  • E bëni të gromësijë;
  • Ndërroni pelenën;
  • Zhvisheni të gjithë fëmijën dhe kontrolloni nëse ndonjë nga veshjet po krijon bezdi. Ndoshta një masë shumë e vogël.

Prekja e qetësimit të fëmijës!

  • E merrni në krahë;
  • Mund të përdorni marsup (xhep kanguri) për ta mbajtur sa më pranë vetes;
  • E shtrini fëmijën mbi parakrahun tuaj përmbys dhe me pëllëmbën e dorës mbani pjesën e brendshme të gjoksit dhe barkut të fëmijës;
  • Shtriheni fëmijën përgjatë prehërit tuaj dhe fërkojeni butësisht shpinën ndërsa ngadalë ngrini dhe ulni thembrat e këmbëve;
  • E shtrini fëmijën në pozicion barkaz dhe godisni shumë lehtësisht shpinën;
  • Masazhoni fëmijën në të gjithë trupin duke qënë fokusi tek pjesa e barkut.

Reduktoni stimulimin e tepërt!

  • E mbështillni me një mbështjellëse teksa jeni gjithmonë pranë tij;
  • Reduktoni zhurmat dhe dritën e tepërt.

Përdorni zhurma qetësuese

  • Vendosni zhurmat e bardha;
  • I këndoni shumë qetë;
  • Vendosni një muzikë shumë relaksuese.

Ndryshoni ritmin e të bërit të aktiviteteve!

  • E ushqeni fëmijën ndërsa ecni;
  • I bëni fëmijës një banjo të ngrohtë;
  • E mbani mbështjellë pranë vetes;
  • E nxirrni pak jashtë për të ndryshuar ambient;
  • I bëni një shëtitje me karrocë;
  • Përdorni zhurmën e tharëses së flokëve për ta qetësuar.

Konkluzion:

Të kujdesesh për një fëmijë të frustuar është stresuese në disa raste, të duket sikur asgjë që po bën nuk ka për të funksionuar. Por, mos u alarmoni! Edhe pse ju duket sikur përpjekjet nuk kanë asnjë efekt, në të vërtetë provoni disa metoda nga të sipërpërmendurat në mënyrë që të gjeni të përshtatshmen për fëmijënt tuaj.

Artemisa Brahimaj

Themeluese e Bota e Gruas

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *