Cilat do të ishin mënyrat e duhura për të trajtuar regresin e gjumit në moshën 2-vjeçare?

Fillimisht, çfarë nënkuptojmë me regres gjumi?

Në momentin që përdorim këtë term i referohemi ndryshimit të papritur të strukturës së gjumit të fëmijës e cila vjen duke u përkeqësuar.

Regresi i gjumit ndodh për shkak të një sërë faktorëve të cilët japin ndikimin e vet në kohë të ndryshme. Ky regres, ashtu si edhe regreset e mëparshme që mund të keni vënë re tek fëmija, ka tendencën të shfaqet në shumë vogëlushë. Prandaj nuk duhet të mendoni se vetëm 2 vjeçari juaj është duke kaluar një situatë të tillë. Nuk jeni vetëm!

Cfarë fshihet pas regresit të moshës 2-vjeçare?

Në këtë moshë fëmija vazhdon të përballet me një sërë ndryshimesh të cilat lidhen me zhvillimin. Prandaj me shumë mundësi në shtëpi do të përballemi me një vogëlush i cili refuzon të dëgjojë deri në fund përrallën dhe normalisht refuzon edhe të shtrihet për të fjetur në orarin që ka ndjekur gjithmonë.

Gjatë përpjekjes së tij për të qënë i pavarur fëmija në këtë moshë do të shfaqë shenja refuzimi në lidhje me shumë aktivitete që më parë ishin pjesë e rutinës së tij të përditshme dhe që zbatonte me shumë kënaqësi.

Për t’i bërë gjërat edhe më të komplikuara, fëmijët e kësaj moshe janë në gjendje të qëndrojnë më tepër zgjuar para se të lodhen mjaftueshëm. Dhe nëse do të vendosim vogëlushin në shtrat shumë herët me siguri do të përballemi me betejë për ta bindur që të flejë.

Një problem tjetër që mund të vërejmë gjatë regresit të vitit të dytë të jetës është edhe përballja me dremitje të cilat shkojnë shumë afër orarit të gjumit në mbrëmje si edhe zgjime të hershme në mëngjës.

Atëherë cila është zgjidhja?

Ofroni zgjidhje të thjeshta dhe vendosni kufij!

Vogëlushi juaj kërkon që në këtë periudhë zëri i tij të dëgjohet dhe të krijojë njëfarë  kontrolli mbi veten. Ju në këtë moment duhet të nxisni pavarësinë e fëmijës duke e përfshirë në disa aktivitete para gjumit. Mund ta pyesni “Dëshiron të veshësh pizhamat e verdha apo jeshilet?” “Cilin nga këta dy libra dëshiron të lexojmë sot?”

Duke qënë se regresi në këtë moshë është normal ju takon patjetër të kujdeseni për të qëndruar pranë fëmijës dhe njëkohësisht të vendosni kufij. Mbajtja e një rutine të qëndrueshme do ta bëjë fëmijën të kuptojë se cfarë do të vijë më pas dhe për pasojë do ta pranojë më me lehtësi aktivitetin e radhës.

“Tani do të veshim pizhamat, do të lexojmë një libër, dhe pastaj do të shtrihemi të flejmë.”

Skema e orareve të gjumit dhe aktiviteteve duhet të jetë e përshtatshme për moshën e fëmijës

Në momentin që kemi një fëmijë i cili kërkon të kalojë përtej kufijve, përpjekjet për ta vendosur në gjumë mund të jenë pa rezultat nëse orari që keni zgjedhur nuk është i duhuri. Nuk duhet të arrijmë asnjëherë në momentin e gjumit me një fëmijë i cili është tepër i lodhur, ose jo mjaftueshëm i lodhur për të rënë në gjumë.

Në këtë moshë fëmijët kanë nevojë të qëndrojnë përafërsisht 6 orë zgjuar ndërmjet dremitjes dhe gjumit të mbrëmjes në mënyrë që të arrijmë në orën e gjumit mjaftueshëm të lodhur.

Duke bërë këtë do të evitojmë edhe dremitjet e shkurtëra gjatë ditës. Në këtë moshë fëmija ende duhet të bëjë një dremitje 6 orë pas zgjimit të mëngjesit, në të kundërt do të përballemi me një vogëlush që do te zgjohet shpesh gjatë natës dhe herët në mëngjes.

Facebook Comments

Artemisa Brahimaj

Themeluese e Bota e Gruas

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *