Fillojmë ushqimet e ngurta. Disa këshilla praktike dhe puretë e para të bebes!

Me kalimin e viteve edhe metoda bazë e prezantimit të ushqimeve të para të bebes ka ndryshuar. Nëse më herët këshillohej ndjekja e një rregulli të caktuar të prezantimit, tani nuk është më kështu.

Cilat do të ishin disa nga ushqimet e para të bebes?

Sipas American Academy of Pediatrics ushqimet e para të bebes mund të prezantohen pa ndonjë radhë të caktuar. Këtë mund ta bëni duke filluar nga muaji 6 dhe rreth muajit 7/8 fëmija do të jetë në gjendje të ushqehet me ushqime të ndryshme nga grupe të ndryshme ushqimore. Tek këto ushqime përfshihen drithërat e bebave, mishi dhe proteinat me tjetër origjinë, frutat, bulmeti etj.

Drithërat e para është e rëndësishme të jenë të fortifikuara me hekur dhe ndër to përmenden: tërshëra, elbi për të lënë disi më në “hije” miellin e orizit.

Si duhet të bëhet prezantimi i ushqimeve të para tek fëmija?

Në mënyrë absolute testet e para bëhen duke prezantuar ushqimet të ndara nga njëra tjetra duke pritur 3-5 ditë për të futur një ushqim të ri në dietë. Kjo është e rëndësishme për të parë mundësinë e shfaqjes së një alergjie tek fëmija. Nga ana tjetër i jepni mundësi fëmijës të shijojë të gjithë ushqimet që prezantohen.

Si duhet të jenë puretë e para të bebeve?

Këshillohet që ato të jenë të holla dhe të bluara mirë. Më pas, me kalimin e kohës mund të filloni që këto pure t’i bëni më të trasha dhe normalisht lehtësisht të pranueshme prej fëmijës.

Tek fëmijët që ushqehen me qumësht gjiri, si duhet të organizohen vaktet?

Qumështi është tepër i rëndësishëm për fëmijën gjatë vitit të parë të jetës, madje edhe gjatë fazës së ushqyerjes me pure të ndryshme. Rekomandohet ushqyerja e fëmijës me qumësht gjiri apo formule dhe njëkohësisht me ushqime të ngurta.

Prezantimi i tyre nuk zëvendëson ushqyerjen me gji. Në fillim të muajit të 6 fillon të bëhet prezantimi gradual i pureve dhe ato konsiderohen plotësim i ushqyerjes me gji.

Drithërat e para: Mielli i orizit/Tërshëra/Meli/Misri/Elbi

Frutat: Avokado/Mollë/Banane/Dardhë/Kumbulla/Pjeshkët

Perime: Kungull i verdhë/Kungull jeshil/Patate e ëmbël/Karrotë

Edhe veza mund të jetë një ndër ushqimet e para të bebes. Ajo futet në dietë njëherë në javë, vetëm e verdha, jo më tepër se një lugë e vogël. Mund të prezantohet e zier dhe konsumohet me anë të lugës nga fëmija por mund të shtohet edhe në supën e perimeve si bazë proteinash shtazore.

Artemisa Brahimaj

Themeluese e Bota e Gruas

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *