Përse ndodh regresi i muajit të 4 dhe cila është zgjidhja që jepet në këtë rast?

Nëse jeni duke vënë re disa ndryshime në gjumin e fëmijës atëherë mund të jeni duke u përballur me një nga regreset që përjeton vogëlushi juaj.

Dremitjet po fillojnë të bëhen më të shkurtëra dhe zgjimet e natës më të shpeshta?

Dhe cila është arsyeja?

Duke filluar nga muaji 3-4 i jetës bebet janë në gjendje të prodhojnë më tepër melatoninë, homoni përgjegjës i gjumit. Ndërsa gjumi tek të porsalindurit nuk kontrollohet në mënyrë të plotë nga ritmi cirkadian, në muajin e 4 do të fillojmë të vërejmë një kontoll më të mirë dhe për pasojë do të shfaqen edhe ndryshimet në fjalë. Cikli i gjumit në këtë moshë fillon të përafrohet më tepër më atë së të rriturve dhe mund te themi se regresi i muajit të 4 është një ndryshim i përhershëm përsa i përket gjumit të fëmijës.

Kur fillon të ndodhë ky regres?

Mund të fillojë rreth muajit 3 e gjysëm apo 4 por mund të ndodhë edhe rreth muajit 5. A mbaron? Jo! Sic e thamë regresi i muajit të 4 në të vërtetë është një ndryshim i përhershëm në gjumin e fëmijës, gjë që nuk ndodh gjatë regreseve të muajve pasardhës.

Çfare ndodh në këtë moment?

Do të shikojmë se aftësia e fëmijës për të rënë në gjumë me lehtësi kudo do të ndryshojë. Nga ky moment fëmija do të fillojë të kalojë nga gjumi i lehtë në gjumin e thellë më shpesh, njësoj si të rriturit.

Pra regresi i muajit të 4 është tepër normal dhe madje një shenjë shumë e mirë e zhvillimit optimal të fëmijës.

Gjatë kalimit nga gjumi i lehtë në gjumin e thellë mund të ndodhë që fëmija të zgjohet duke lindur nevoja që të kthehet në gjumë njësoj si ka rënë në momentin e parë të mbrëmjes. Pra nëse ka pasur ndihmën tuaj do ta kërkojë atë sërish. Nëse ka fjetur në mënyrë të pavarur me siguri nuk do ta ndieni se është zgjuar ndërsa është rikthyer në gjumë. Nëse fëmija ka varësi ndaj jush do të hasë vështirësi përsa i përket futjes në fazën tjetër të gjumit.

Si menaxhohet kjo situatë?

Mos e harroni asnjëherë! Regresi i muajit të 4 nuk kalon asnjëherë! Pra ka një koncept totalisht ndryshe nga ato të muajve në vazhdim (8, 9, 10, 18 apo 24 muajsh). Nëse këto regrese kalojnë brenda pak javëve këtë radhë nuk është kështu!

Por nuk ka asnjë arsye përse të ndiheni keq apo në ankth! Nëse jeni gjatë ditëve të para është normale të ndiheni të lodhura apo të frustruara. Ndërsa ditët kalojnë dhe vini në zbatim rregullat e gjumit me siguri situata do të ndryshojë dhe fëmija do të fillojë të flejë më mirë.

11 këshilla për të përballuar si duhet regresin e muajit të 4

  • I jepni mundësinë fëmijës të flejë në po të njëjtin vend që do të kalojë edhe natën. Kjo është një nga mënyrat më të mira për të shmangur zgjimet e shpeshta, pra ta bëni fëmijën të flejë në po të njëjtat kushte që ka fjetur në momentin e parë të gjumit në mbrëmje.

  • Mos ndërhyni menjëherë. Fëmijët mund të bëjnë zhurma të ndryshme ndërsa janë në gjumë. Dhe kjo mund të ndodhë edhe ndërsa kalon nga një cikël gjumi në një tjetër. Prandaj këshilohet që ti jepni disa minuta kohë para se të ndërhyni.

  • Dalëngadalë filloni të shkëpusni fëmijën nga disa vese që mund të ketë për ta ndihmuar të hedhë një hap para drejt të fjeturit në mënyrë të pavarur. Nëse ai është mësuar të bjerë në gjumë teksa pi mund të provoni të largoni vaktin e fundit me disa minuta cdo natë nga momenti i gjumit.

  • Mund të përdorni një mbështjellëse për ta bërë të flejë më mirë. Ajo mund të jetë një portbebe apo thes gjumi (luajnë të njëjtin funksion).

  • Kujdesuni që të mos bjerë në gjumë i uritur dhe ushqeheni mjaftueshëm gjatë ditës.

  • Dhoma duhet të jetë e qetë dhe e errët. Në këtë mënyrë truri i fëmijës kupton se nuk është koha për aktivitet.

  • E vendosni fëmijën në shtrat zgjuar por përgjumësh.

  • Ndiqni me përpikmëri rutinën e fëmijës e cila nuk duhet të zgjasë më tepër se 20 minuta.

  • Ciklet e qëndrimit zgjuar gjatë ditës duhet të jenë të përshtatshme përsa i përket moshës së bebes.

  • I jepni kohën e nevojshme që të mësohet.

  • Mund të provoni të kaloni nga 4 në 3 dremitje për ta spostuar orarin e gjumit të mbrëmjes në intervalin 18:00-20:00.

Artemisa Brahimaj

Themeluese e Bota e Gruas

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *